Rektale - Temperatura qendrore më e besueshme matet duke e futur termometrin në rektum (matje rektale). Kjo matje është e saktë dhe mundësia për matje të gabuara është shumë e ulët. Niveli normal është rreth: 36.2°C - 37.7°C.
Vaginale - Te gratë, matja vaginale e temperaturës jep një përllogaritje pak më të ulët, rreth 0.1°C deri në 0.3°C, krahasuar me matjen rektale, me stabilitet pothuajse të njëjtë.
Veshi - Termometrat e veshit matin temperaturën e daulles së veshit me një sensor infrared. Maja e termometrit pozicionohet mbi kanalin e veshit dhe rezultati merret për një sekondë. Përveçse është praktike, kjo metodë është shumë e besueshme nëse saktësia mund të vërtetohet nga një verifikim klinik. Termometrat e mirë për veshin japin rezultate shumë të sakta dhe mundësia për matje të gabuara është e ulët. Një majë me formë optimale është tepër e rëndësishme për të pasur rezultate të besueshme me foshnjat dhe fëmijët.
Orale - Matja orale mund të bëhet si matje bukale (në brendësi të faqes) ose si matje sublinguale (poshtë gjuhës). Të dyja matjet dalin rreth 0.3°C - 0.8° C më të ulëta se temperatura me matje rektale, ku matja sublinguale është më e preferuar se ajo bukale.
Balli - Termometrat e ballit ofrojnë mënyrën më pak të bezdisshme dhe më të rehatshme për të matur temperaturën e trupit. Thjesht vendoseni termometrin mbi ballin e një pacienti, dhe një sensor infrared dallon nivelin më të lartë të temperaturës, ndërsa një sensor i dytë mat temperaturën e ambientit. Ndryshimi në këto dy matje analizohet, dhe sipas disa parametrave të përcaktuara klinikisht, përcaktohet temperatura e trupit dhe shfaqet në ekranin LCD.
Sqetulla - Matjet e temperaturës së sipërfaqes së trupit që përdoren në praktikën klinike bëhen në zonën e sqetullës (poshtë krahut) dhe të ijëve. Në të dyja rastet, gjymtyra përkatëse ngjishet pas trupit me qëllim që të pakësohet ndikimi i temperaturës së ambientit. Megjithatë, kjo është e suksesshme deri në njëfarë mase dhe disavantazhi është se koha e matjes është e gjatë. Te të rriturit, matja nën sqetull është më e ulët se matja rektale me rreth 0.5°C deri në 1.5°C! Te foshnjat, këto përllogaritje janë shumë më të vogla krahasuar me temperaturën rektale.